Transparencë ndaj qytetarëve – Asnjë bashki nuk përmbush kriteret. STAR2 prezanton modelin standard
Asnjë Bashki nuk përmbush kriteret e transparencës ndaj qytetarëve. Ky është përfundimi pas vlerësimit të situatës mbi transparencën dhe llogaridhënien në nivel vendor. Për të ndryshuar këtë situatë janë prezantuar në Këshillin Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore instrumentet për transparencën efektive në qeverisjen vendore.
Eksperti i lartë i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Shefqet Bruka ka shpjeguar situatën aktuale në të cilën ndodhen bashkitë sa i përket transparencës me qytetarët.
“Ajo që vërejtëm dhe konstatuam që në momentet e para ishte se asnjë nga bashkitë nuk kishte arritur të përshtaste programin e transparencës sipas specifikave, sipas misionit, funksioneve dhe detyrave që ka vetë bashkia. 48% e bashkive që kishin uebsite kanë regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve. Kuadri rregullator në tërësi ishte i publikuar në bashki, 49% nuk e kanë. Rregulloret e Këshillit të Bashkisë 70% e tyre nuk i kanë publikuar, një pjesë e madhe e tyre dhe nuk i kanë përditësuar me kuadrin e ri ligjor. Shqetësim është koordinatori i njoftimit dhe konsultimit publik, 90% e bashkive nuk e kanë publikuar”, tregoi Bruka.
PNUD i ka kushtuar një rëndësi të veçantë përmirësimit të qeverisjes vendore, përmes rritjes së transparencës së llogaridhënies dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vlerësuar instrumentet për rritjen e transparencës, duke theksuar se janë trajtuar mbi 2500 ankesa për të drejtën e informimit.
“Zbatimi i të drejtës kushtetuese për informim kërkon një reformim dhe një transformim të thellë të një praktike dhe mentaliteti pune të mbyllur të administratës tonë publike dhe transparencës dhe llogaridhënies”, u shpreh komisioneri Besnik Dervishi.
Pas procesit të konsultimit, modeli final i transparencës do të miratohet nga komisioneri e më pas do të zbatohet nga të gjitha bashkitë. Ky projekt po zbatohet nga PNUD në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe financohet nga Bashkimi Europian.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.