Transparency International: Perceptimi i korrupsionit, Shqipëria zbret në vendin e 83

Korrupsioni është një problem madhor në botën e sotme, dhe matja e fenomenit është thuajse e pamundur. Gjithsesi, indikatori më i saktë i përhapjes së fenomenit në një shoqëri të caktuar i referohet perceptimit të tij nga vetë qytetarët.
Në këtë pikë, “Transparency International”, është ndër më të besueshmet, dhe çdo muaj Janar publikon indeksin e perceptimit të korrupsionit. Për vitin 2016, Shqipëria renditet në vendin e 83-të, ndër 176 vende të ekzaminuara.
Renditja flet për progres, pasi në raportin e vitit të kaluar, Transparency International e rendiste Shqipërinë të 88-tën në Botë, ndër 168 vende. Shqipëria grumbullon 39 pikë në indeksin e këtij viti, po aq sa, Bosnje Hercegovina, Jamaica dhe Lesotho.
Mesatarja globale fiksohet në 43 pikë, dhe Shqipëria me 39 pikë është larg kësaj. Mesatarja në 43 pikë flet për një korrupsion endemik në sektorin publik të një vendi. Progresi me 5 pozicione flet për progres minimal, pasi një vit më parë Shqipëria fitonte 22 pozicione, duke zbritur nga vendi i 110-të.
Në rajon, Shqipëria lë pas Maqedoninë, në vendin e 90-të dhe Kosovën të 95-tën. Fqinjët maqedonas kanë humbur ndjeshëm pozicione në krahasim me vitin e kaluar, kur renditeshin bindshëm mbi Shqipërinë.
Kjo hartë, ku ngjyra e ndezur flet për alarm, ilustron mjaft mirë faktin se Shqipëria është ndër vendet më të korruptuara në Europë. Kosova, Rusia dhe Ukraina ndërkohë, janë tre vendet më të korruptuara në Europë sipas Transparency international.
Në rang global tre vendet më pak të korruptuara janë; Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda. Danimarka ruan vendin e parë, ndërkohë që Zelanda e re është një risi në treshe. Italia renditet në vendin e 60-të në Botë dhe Greqia në të 69-tin.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.