Transporti ajror botëror rrit parashikimin e fitimit për vitin 2017

Linjat ajrore vijojnë me performancën shumë të mirë financiare, që zgjat prej tre vjetësh. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, e cila përfshin 275 linja, vlerësoi se në vitin 2017 industria do të fitojë 31.4 miliardë dollarë nga 743 miliardë dollarë të ardhura.
Shoqata ia atribuon rezultatin kërkesës së fortë në transportin e pasagjerëve, por edhe në ngjalljen e dërgesave ajrore të cilat kishin qenë në një koma 6-vjeçare.
Sipas raportit të prezantuar në Samitin Botëror në Kankun, “pasegjerët kanë përfituar nga flota moderne, rrjete të zgjeruara dhe më shumë mundësi zgjedhjeje në produkte. Punësimi direkt ka arritur në 2,8 milionë vende pune. Ndërsa investitorët po shpërblehen me kthime 8,8% më të larta mbi kostot e kapitalit”.
Biznesi i pasagjerëve pritet të rritet me 7,4% këtë vit, ndërsa një tjetër rritje me 7,5% në fitime do të nxitet nga sektori i shitjeve online dhe dërgesave farmaceutike.
Kjo performancë e qëndrueshme financiare shënon një epokë për industrinë, e cila gjithmonë është stërmunduar tek fitimet. Megjithatë, ashtu siç vlerëson vetë raporti, transporti ajror mbetet ende i cënueshëm nga një shok i mundshëm ekonomik, sidomos prej kostove në rritje të karburantit dhe krahut të punës.
Mesatarja e fitimit për pasagjer në vitin 2017 është 7.69 dollarë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.