Transporti ajror – Numri i pasagjerëve rritet me 22%
Tregu i transportit ajror të pasagjerëve po rritet me ritme të larta gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për katër muajt e parë të vitit afro 700 mijë pasagjerë kanë përdorur transportin ndërkombëtar ajror për të hyrë ose dalë nga Shqipëria.
Numri i pasagjerëve është në rritje me 22% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Duket se numri i pasagjerëve në transportin ajror është drejt rritjes për të gjashtin vit radhazi, ndërkohë që për vitin e kaluar numri i udhëtarëve që përdorën Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për vitin 2016 ishte 2.14 milionë, në rritje me 8.2% krahasuar me vitin 2015.
Sigurisht që Aeroporti i Tiranës është ndër përfituesit kryesorë të rritjes së numrit të pasagjerëve, ndikuar në një masë të madhe edhe nga rritja e numrit të turistëve dhe vizitorëve të huaj në Shqipëri.
Për katërmujorin, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri u rrit me 13% krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e vazhdueshme e tregut të pasagjerëve nënkupton një potencial të rëndësishëm, që mund të shfrytëzohej shumë më tepër, nëse Shqipëria do të mund të ofronte kushte për fluturime të kompanive low cost.
Kostot e larta të operimit në Aeroportin e Tiranës ngelen një pengesë madhore, ndërkohë që qeveria shqiptare ka dështuar, deri tani, të bëjë operativ Aeroportin e Kukësit.
Aktualisht, në Aeroportin e Tiranës operojnë 15 kompani ajrore, që për katër muajt e parë të këtij viti kryen afërsisht 7 mijë fluturime.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.