Transporti detar – Ndryshojnë kushtet dhe afatet e vlefshmërisë së licencave

Kushtet dhe afatet e vlefshmërisë së licencave për ushtrimin e veprimtarisë së transportit ndërkombëtar detar kanë pësuar disa ndryshime.
Sipas udhëzimit të botuar sot në “Fletoren Zyrtare”, inspektimet për kushtet teknike të anijes do të kryhen nga Kontrolli Shtetëror i Flamurit, një strukturë në përbërje e administratës detare e cila ushtron veprimtarinë për inspektimin e certifikimin e sigurisë teknike të mjeteve lundruese.
Inspektimi parashikohet të zgjasë jo më shumë se 5 ditë pa ndërprerë operimin e mjetit lundrues.
Operatorët që operojnë në linjë ndërkombëtare detare, kryesisht anijet dhe kanë prekje në portet përkatëse, referuar udhëzimit, çdo ditë të javës duhet ta prekin atë port minimalisht 15 herë në muaj.
Ndërsa, për operatorët të cilët operojnë 5 herë në javë ose më pak, duhet ta prekin atë port minimalisht 4 herë në muaj.
Referuar udhëzimit, në rastet kur operatori i licencuar kërkon të kryejë riparim të anijes, duhet të jetë i pajisur me një leje të veçantë nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Më tej, sipas udhëzimit, mjetet e përfshira në licencën për kryerjen e transportit ndërkombëtar detar për udhëtarë dhe automjete nuk mund të kryejnë udhëtime turistike pa zbatuar grafikun e miratuar ose pa u zëvendësuar me mjet tjetër.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.