Transporti dhe teknologjia – Veliaj pret homologun e Parmës: Rritje e bashkëpunimit

Tirana dhe Parma do të rritin bashkëpunimin në çështjet kulturore, mobilitetit dhe teknologjisë së avancuar në dhënien e shërbimeve për qytetarët. Gjithçka është dakordësuar gjatë një takimi mes kryebashkiakut, Erion Veliaj dhe homologut të tij Federico Pizzaroti.
Sipas Veliajt, Parma është një nga qytetet më të zhvilluara të Italisë, nga eksperienca e së cilës Tirana ka mundësi të marrë më të mirën, sidomos lidhur me transportin dhe argoturizmin.
“Duam të kuptojmë pak më shumë se si sfidat e mobilitetit, transportit publik, e një qyteti dixhital, janë transformuar në qytetin e Parmës dhe gjithashtu duam të mësojmë shumë për turizmin dhe për mënyrën se si mund të transformohet qyteti përmes turizmit, kryesisht zonat rurale që mund të jetojnë me agroturizëm, se si mund të jetohet mirë me kulinari. Duke mësuar nga më të mirët, edhe ne mund të bëhemi pak më të mirë. Një nga fushat ku mund të bëjmë shumë është një kalendar i përbashkët i kulturës, Parma është qyteti i Verdit, një qytet që i ka dhënë botës kaq shumë kulturë, art dhe muzikë; mezi presim që të kemi një aktivitet të përbashkët kulturor dhe një kalendar vjetor”, tha Veliaj.
Në përfundim të takimit, të dy kryebashkiakët në shenjë miqësie dhe vazhdimësisë së bashkëpunimit mes dy bashkive mbollën një pemë në lulishten e sheshit “Skënderbej”.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.