Transporti i mallrave – Hekurudha, në 2017-ën u 3-fishua në krahasim me 1 vit më parë

Pavarësisht se rrjeti hekurudhor në vendin tonë ka nevojë për investime me qëllim rritjen e sigurisë dhe cilësisë, volumi i transportit të mallrave me hekurudhë për vitin 2017 pësoi rritje në krahasim me një vit më parë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin që sapo lamë pas u transportuan 25.287 ton mallra, ndërkohë që për vitin 2016 ky tregues rezulton në 8826 ton.
Referuar këtyre të dhënave duket se kemi një 3-fishim të përdorimit të këtij transporti nga bizneset, të cilët e përzgjedhin hekurudhën për shkak të çmimeve më të ulëta në raport me alternativat e tjera. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës ka bërë me dije se do të shtojë investimet në hekurudhë, duke synuar rritjen e efikasitetit në transportin hekurudhor jo vetëm për mallrat, por edhe udhëtarët.
Pak ditë më parë dhe Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi shtesën e grantit në masën prej 112 mijë eurosh, me qëllim financimin e projektit konceptual për rehabilitimin e linjës hekurudhore në seksionin “Terminali i transportit publik Tiranë deri te stacioni i trenit Tiranë”.
Rehabilitimi i këtij seksioni është menduar të realizohet si shtesë e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe ndërtimin e lidhjes së re hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit të vendit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.