Transporti ndërqytetas – Mema: Mbivendosje linjash në mënyrë korruptive
Mbivendosja e linjave ndërqytetase në mënyrë korruptive, është ngritur si shqetësim nga shoqata e transportit ndërqytetas. Kreu i kësaj shoqate, Kujtim Mema, përmes një konference për shtyp, i ka kërkuar Ministrisë së Transportit zbatimin korrekt të ligjit dhe eliminimin e ndërhyrjeve për fryrjen e rrjetit të linjave.
“Në Ministrinë e Transportit ka ndërhyrje për të shtuar dhe për të fryrë akoma më tej këtë rrjet linjash. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë Ministrinë me çfarë i duhet, që ne t’i bëjmë ballë të gjithë linjave të transportit ndërqytetas. Rrjeti i fryrë i linjave nuk i shërben askujt. Në momentin që po flasim, kërkesa të shumta janë drejtuar në Ministrinë e Transportit për të marrë linja që janë shumë dhe absurde dhe që nuk na shërbejnë fare ne transportit”, u shpreh Mema.
Anëtarët e shoqatës kanë denoncuar raste flagrante të shkeljes së ligjit në linjën Elbasan-Tiranë përmes ndërhyrjeve. Veli Bezati administrator i linjës Korçë-Tiranë hodhi akuza për monopolizim të linjës nga biznesmenë.
“Të ngrihet një operator i vetëm e të bëjë ligjin se ka dy lekë, mjerë ne të tjerët pastaj që punojmë për bukën e gojës. Këtë shteti duhet ta ndjejë. I kam thënë dhe ish-ministrit Haxhinasto ‘po, do ta rinovojmë flotën, por na jep ligjin, që ne të investojmë, ama me ligj të mbrohemi”, tha Bezati.
Shoqata e transportit paralajmëroi protesta nëse nuk do të merren masa nga ana e ministrisë për ndalimin e këtij fenomeni. Aktualisht me reformimin e këtij sektori numri i linjave të transportit ndërqytetas u reduktua nga 580 në 380 dhe u rinovua 70% e flotës.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.