Trashëgimia kulturore, Tahiri në Apolloni: Së fundmi sekuestruam 264 objekte historike

“Sapo kemi mbyllur një operacion policor me qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Faza e parë e operacionit u mbyll me sekuestrimin e 264 objekteve historike”. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë një takimi me studentë në Apolloni të Fierit, ku ndër të tjera pohoi se që në ditët e para të qeverisë u ndërmor një operacion për sekuestrimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.
“Që në ditët e para pasi morëm drejtimin e qeverisë mbyllëm një operacion të gjerë ku sekuestruam mbi 2200 objekte të pasurisë sonë, të cilat deri dje ishin pjesë e trafikantëve, ndërkohë sot i përkasin publikut. Për ne trashëgimia kulturore është e vyer. Kjo nuk është pasuri e fondit, por është pasuri e juaj”, thotë Tahiri.
Më tej ai u ndal tek reformat që po ndërmerr qeveria: “Jemi të vendosur të bëjmë shtet, kjo është qasja jonë ndaj gjithçkaje për “të bërë shtet”. I kemi dhënë rëndësi të veçantë reformës në arsim, i kemi dhënë rëndësi të veçantë arsimit profesional dhe punësimit. Jemi të vendosur për t’u përballur me çdo forcë që kërkon të na pengojë. Një nga themelet e punës sonë është reforma në sistemin e drejtësisë. Ne duam të kemi prokurorë, gjykatës të mirë. Ne nuk duam të mbyllim të ardhmen tuaj, por ta hapim atë” u shpreh ministri Tahiri.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.