Tre deficitet e Shqipërisë me BE, Instituti i Vienës: Infrastruktura, qeverisja dhe financimet, vite larg
Instituti i Vienës për Studime Ekonomike ka analizuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian duke vënë theksin te mangësitë kryesore.
Kur bëhet fjalë për infrastrukturën, instituti përllogarit se, Shqipëria ka një deficit prej diçka më shumë se 10% në vit deri në 2022. Pra, Shqipëria duket se ka nevojë të kanalizojë rreth 10% të PBB-së vetëm për të mbajtur gjallë infrastrukturën, ose rreth 1.3 miliardë dollarë në vit mesatarisht.
Deficit më të lartë se Shqipëria në drejtim të infrastrukturës kanë vetëm Kosova dhe Bosnje Hercegovina, dy shtete të reja në Ballkan dhe me një histori të vonshme lufte dhe konfliktesh të vazhdueshme.
Ky është vetëm deficiti i parë i Shqipërisë me Europën. Deficiti i dytë i referohet qeverisjes. Instituti i Vienës arrin në përfundimin se, Shqipërisë, në rastin më të mirë i duhen 12 vite për të arritur nivelin e Rumanisë apo Bullgarisë përpara anëtarësimit të tyre në union në drejtim të mirëqeverisjes.
12 vite vlerësohet kohëzgjatja vetëm në rast se do të ketë një kapërcim cilësor në demokracinë e vendin, ndërkohë që në skenarin më normal, shqiptarët do të duhet të presin 15 vite për të pasur një qeverisje si ajo që kishin rumunët apo bullgarët 8 vite përpara anëtarësimit të vendit të tyre në union.
Duke marrë për bazë skenarin më optimist, rezulton se vetëm Bosnje Hercegovina projektohet të ketë një kohëzgjatje më të madhe se Shqipëria, çka do të thotë se, në rast se fqinjët do të ndërmarrin reforma demokratizuese, njësoj si ne, ata do të arrijnë më shpejt standardet e vendeve si Rumania apo Bullgaria.
Deficiti numër tre ndërkohë i referohet fondeve të Brukselit ndaj vendeve të Ballkanit. Shqipëria rezulton të jetë vendi që merr më pak financime, si fonde apo grante.
Grafiku e tregon qartë se, me një mbështetje financiare në pak më shumë se 1% të PBB, Shqipëria është e fundit në rajon. Grafiku tregon gjithashtu se, Shqipëria është vendi që merr më pak mbështetje financiare në formën e huave, ngjyra e verdhë në grafik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.