Tre rekordet e shqiptarëve – Kërkesat për azil në BE, 2017 mbyllet me një bilanc turpërues

Shqiptarët vazhdojnë të figurojnë në listat e azilkërkuesve kryesorë në Bashkimin Europian. Në bazë të të dhënave më të fundit, të sapopublikuara, e që i referohen vitit të kaluar, rezulton se, shqiptarët janë grupimi i shtatë më i madh i azilkërkuesve në Bashkimin Europian, dhe të vetmit europianë në këtë listë, ku më së shumti figurojnë kombësi nga vende në luftë dhe konflikte të vazhdueshme.
Zyra e mbështetjes së azilantëve në Europë, nënvizon se, gjatë 2017-ës, ishin plot 25,512 azilantë që aplikuan në Bashkimin Europian, pra vetëm 6000 më pak se viti i mëparshëm, kjo është rënia më e vogël mes të gjitha nacionaliteteve të tjera, duke i dhënë kështu Shqipërisë rekordin e radhës.
Por, shqiptarët mbajnë edhe një tjetër rekord, atë të normës më të lartë të aplikantëve përsëritës, plot 14%. Shifra prej 25 mijë azilantësh nuk i referohet kështu vetëm kërkesave të reja për azil, pasi 14% prej tyre janë përsëritës, pra që e kanë provuar edhe vitet e kaluara.
Pra, mesa duket, edhe 2017 është mbyllur me një bilanc tejet negativ në këtë drejtim.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.