Tre vendimet e qeverisë/ 100 ushtarakë kalojnë në Policinë e Shtetit nga 1 marsi! Ekuivalentohen gradat, transferohen edhe fondet
Këshilli i Ministrave ka miratuar tre vendime që i hapin rrugë transferimit të 100 punonjësve nga Ministria e Mbrojtjes në ministrinë e Brendshme, në radhët e Policisë së Shtetit.
Vendimi i parë i miratuar nga qeveria parashikon ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas ligjit “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me gradat e Policisë së Shtetit.
Vendimi i dytë është ai që parashikon rritjen e numrit të punonjësve të Policisë së Shtetit. Sipas vendimit, nga 10 mijë e 958 punonjës, organika e Policisë së Shtetit bëhet 11 mijë e 58 punonjës, pra rritje me 100 punonjës.
Vendimi i tretë parashikon një rishpërndarje të punonjësve nga ministria e Mbrojtjes te Ministriae Brendshme. Referuar vendimit, numri i punonjësve të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2019, shtohet me 100 (njëqind) punonjës për Policinë e Shtetit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 14 249 (katërmbëdhjetë mijë e dyqind e dyzet e nëntë) punonjës.
Ndërkohë, numri i punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes, për vitin 2019, reduktohet me 100 (njëqind) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 8 866 (tetë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) punonjës.
Transferimi personelit ka sjellë edhe transferimin e fondeve pasi vendimi përcakton se në Ministrinë e Brendshme, në programin “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 61 milionë lekësh për shpenzime personeli, për vitin 2019. Nga ana tjetër, në Ministrinë e Mbrojtjes, në programin “Forcat e luftimit”, reduktohet fondi prej 61 milionë lekësh për shpenzime personeli, për vitin 2019.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2019.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.