Tregjet e aksioneve, në rritje – Marrëveshjet BE-Britani për Brexit mbështesin bursat
Tregjet globale të aksioneve po qendrojnë në rritje në sesionin e fundit të kësaj jave, pasi investitorët kanë reaguar ndaj progresit në negociatat e Brexit, mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian. Indeksi pan-Europian, Stoxx 600, është në rritje me rreth 0.9%, me shumicën e sektorëve në territor pozitiv.
Indeksi i bankave europiane po kryeson fitimet, në rritje me rreth 3%, pasi rregullatorët globalë të bankave nënshkruan marrëveshjen e shumëpritur, gjatë së enjtes. Marrëveshja e nënshkruar paraqet pjesën e fundit të mozaikut të rregullave të “Bazel III”. Rregullatorët europianë dhe ata amerikanë gjetën një kompromis mbi nivelet e kapitalit dhe matjen e rrezikut në industri.
Danske Bank, Lloyds dhe Societe Generale po qendrojnë në rritje me rreth 4%, pas publikimit të lajmit. Ndërkohë, aksionet e kompanive të lëndëve të para, që kanë një ekspozim të madh ndaj Kinë, gjithashtu janë në rritje me rreth 1%. Një rimëkëmbje e fortë e kërkesës nga Kina për mineralet e hekurit dhe bakrin, sipas analistëve, do të mbështesë edhe në muajt në vijim çmimet e lëndëve të para.
Për këtë arsye, Arcelor Mittal, prodhuesi më i madh në botë i çelikut, ka fituar rreth 1% të vlerës. Megjithatë, Brexit vazhdon të jetë në fokus të investitorëve, pasi Bashkimi Europian dhe Britania kanë rënë dakord mbi 3 çështje të veçanta, që kanë penguar deri më tani negociatat, duke i hapur rrugën fazës së ardhshme të diskutimeve. Për këtë arsye, paundi u rrit ndjeshëm në raport me euron, duke prekur nivelin më të lartë në 6 muajt e fundit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.