Tregjet europiane, me ndryshime minimale – Investitorët presin takimin e BQE, shqetëson inflacioni prej 8.5% në SHBA!

Bursat europiane po qëndrojnë në rënie të lehtë edhe në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po tregtohen të kujdesshëm, në pritje të takimit të Bankës Qendrore Europiane (BQE) të premten. Indeksi pan-European Stoxx 600, po qëndron në rënie të lehtë me 0.3%, ndërsa fitimet më të mëdha i realizon sektori i shitjeve me pakicë në rritje me 1.1%. Çmimet konsumatore në SHBA u rritën me 8.5% në mars, krahasuar me një vit më parë, që është niveli më i lartë që nga viti 1981.
Të dhënat kanë ushtruar më tej presion ndaj Rezervës Federale për të rritur normat e interesit. Fokusi i investitorëve tashmë do të jetë te politikat monetare që do të ndjekë Banka Qendrore Europiane, në një kohë që edhe në Eurozonë inflacioni është i lartë. Ndër zhvillimet e tjera, Organizata Botërore e Tregtisë uli vlerësimin për rritjen e tregtisë globale në 3% gjatë këtij viti, nga 4.7% që ishte vlerësimi i mëparshëm.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar sugjeroi se forcat ruse janë duke u përgatitur për një sulm të madh për të zgjeruar kontrollin në Ukrainën lindore. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, inflacioni rezultoi me një rritje vjetore prej 7%, gjatë marsit, niveli më i lartë në 30 vitet e fundit.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.