Tregjet europiane, në qëndrueshmëri – Investitorët, të fokusuar te BQE dhe lufta në Ukrainë!

Tregjet europiane po qëndrojnë në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin vendimet që do të marrë Banka Qendrore Europiane mbi politikat monetare. Indeksi pan-Europian Stoxx 600, po qëndron në rritje të lehtë, ndërsa sektori i udhëtimeve realizon fitimet më të mëdha, në rritje me 1%. Tregjet nuk presin ndryshime të politikave monetare, por investitorët janë të interesuar të mësojnë kohën se kur do të vijë rritja e parë e interesave.
Investitorët po monitorojnë edhe zhvillimet që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë. Sipas informacioneve më të fundit, një anije luftarake ruse u sulmua nga forcat ukrainase në Detin e Zi, duke detyruar evakuimin e të gjithë stafit. Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi edhe një plan ndihme prej 800 milionë dollarë për Ukrainën, pas një telefonate prej rreth 1 orë që zhvilloi me presidentin, Volodymyr Zelensky.
Ndër zhvillimet e tjera, një dozë e gjashtë kundër Covid-19 është miratuar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi rregullatori shëndetësor në vend i dha dritën e gjelbër kompanisë franceze, Valneva. Investitorët po presin edhe fitimet tremujore të korporatave, si Wells Fargo, Goldman Sachs, Morgan Stanley dhe Citigroup.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.