Tregjet europiane, në rënie – Investitorët presin mbledhjen e BQE dhe inflacionin në SHBA!

Tregjet europiane po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA dhe takimet e disa bankave qëndrore. Indeksi pan-Europian STOXX 600 po qëndron në rënie me 0.4%. Investitorët globalë janë të shqetësuar për rritjen e çmimeve dhe për këtë arsye po presin me një interes të veçantë raportin mbi inflacionin në SHBA, që pritet të jetë rritur me hapin më të shpejtë në 16 vitet e fundit.
Gjithashtu, këtë javë fillon edhe sezoni i raportimeve tremujore, me bankat që do të jenë në fokus të tregjeve. JPMorgan, Goldman Sachs, Ëells Fargo, Citi dhe Morgan Stanley pritet të publikojnë fitimet e tyre për tremujorin e parë të vitit. Në Europë, investitorët janë të fokusuar edhe te zhvillimet në Ukrainë, pasi pushtimi rus ka shkaktuar paqëndrueshmëri të mëdha në tregje.
Sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss, deklaroi se qeveria e saj po punon urgjentisht për të verifikuar detajet nëse Rusia ka përdorur armë kimike gjatë sulmeve në Mariupol. Politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane do të takohen këtë javë në Frankfurt për të diskutuar mbi politikat monetare, në një kohë që inflacioni i lartë po bëhet një kërcënim serioz. Në tregun e naftës, Brenti i Londrës është ngjitur sërish në mbi 100 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.