Tregjet europiane rriten lehtë, Vodafone humbje 7.8 miliardë euro

Bursat europiane janë mbyllur në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, me sektorin e telekomit që realizoi performancën më të mirë.
Vodafone publikoi fitimet tremujore, që rezultuan më mirë se parashikimet e analistëve, pavarësisht se rezultati ishte negativ.
Kompania britanike, e pranishme edhe në vendin tonë, publikoi humbje prej 7.8 miliardë euro për 6-mujorin e parë të këtij viti, por aksionet u rritën me rreth 7% pasi shefi ekzskutiv premtoi reduktimin e kostove operative me 1.2 miliardë euro deri në vitin 2021.
Investitorët kanë qenë të fokusuar edhe te zhvillimet politike, sidomos te Brexit dhe buxheti i Italisë, që po ushtojnë presion mbi tregjet.
Çmimet e naftës, ndërkohë, kanë zgjeruar ndjeshëm humbjet në orët e pasdites, duke rënë me mbi 4%. Presidenti amerikan Donald Trump, shtoi presionin ndaj OPEC për të mos ulur prodhimin.
Një arsye tjetër që ka rrëzuar naftën është edhe parashikimi se oferta do të tejkalojë kërkesën gjatë vitit të ardhshëm.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.