Tregjet financiare, në rënie – Fitimet e korporatave ndikojnë në ecurinë e bursave

Tregjet financiare në Europë po qëndrojnë në rënie gjatë sesionit të sotëm, ndërsa indeksi pan-Europian, Stoxx 600, ka humbur rreth 0.3% të vlerës.
Sektori i mediave dhe ai bankar po realizon performancën më të dobët, gjatë ditës së sotme, të ndikuar nga të dhënat tremujore të korporatave. Në anën tjetër, sektori i teknologjisë po realizon disa fitime, me indeksin që mat këtë sektor, në rritje me rreth 0.5%.
Aksionet e kompanisë Burberry janë në rënie me rreth 7%, pas publikimit të të dhënave mbi shitjet për tremujorin e fundit të vitit 2017, që rezultuan poshtë parashikimeve të analistëve.
Gjithashtu, kompania zvicerane e ushqimeve, Nestle, ra dakord të shesë biznesin e saj amerikan te kompania Ferrero për 2.8 miliardë dollarë.
Edhe tregjet aziatike janë mbyllur në rënie gjatë sesionit të sotëm, por megjithatë humbjet kanë qenë të kufizuara.
Përsa i përket të dhënave ekonomike, investitorët janë në pritje të publikimit të procesverbalit të takimit të fundit të Rezervës Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, presidenti i Bundesbank, Jens Weidmann, deklaroi se do të ishte e drejtë, që Banka Qendrore Europiane të ndalonte blerjen e bonove në tregjet dytësore.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.