Tregjet reflektojnë votimin – Indeksi i Italisë bie me 1%, ndërkohë që asnjë bllok nuk merr shumicën
Tregjet në Europë u hapën në performancë mikse për ditën e parë të kësaj jave, me indekset e titujve të kapitalit që reflektuan votimin në Itali ditën e Diel. Të gjithë indekset kryesorë të rajonit patën rritje të lehtë, përveç indeksit të Italisë që ra me më shumë se 1%.
Italia përballet me një periudhë të pasigurisë politike, ndërkohë që votuesit treguan mospëlqim ndaj partive tradicionale dhe shtuan mbështetjen për grupet populiste.
Me pjesën më të madhe të votave të numëruara, rezultati është thuajse i sigurt se asnjë prej grupeve nuk do të mund të qeverisë ekonominë e tretë më të madhe në Eurozonë. Aleanca e djathtë që përfshin partinë Forza Italia të ish-kryeministrit Berlusconi, rezultoi blloku më i madh.
Megjithatë, Lëvizja 5-Yjet pati rritje të mbështetjes duke u bërë partia më e madhe në Itali dhe një prej zyrtarëve të lartë të saj tha se do të jetë e pamundur për të mos formuar koalicion me të.
Një qeveri e formuar me një kombinim të tillë do të jetë euro-skeptike, do të sfidojë kufizimet e buxhetit të BE dhe do të jetë pak e interesuar në integrimin e mëtejshëm europian.
Koalicioni i qendrës së djathtë pritet të marrë 37% të votave dhe Lëvizja 5-Yjet, 31%. Pavarësisht arritjes së një rimëkëmbjeje modeste të ekonomisë, koalicioni i qendrës së majtë doli në vend të tretë me 22%, prej shqetësimeve në lidhje me varfërinë e vazhdueshme, papunësinë e lartë dhe fluksit prej më shumë se 600,000 emigrantësh në 4 vitet e fundit.
Një “ngërç” i tejzgjatur politik mund të çojë Italinë në qendër të shqetësimeve nga investitorët, tashmë që kërcënimi nga Gjermania është tërhequr, ndërkohë që u arrit koalicioni i madh mes konservatorëve të Merkel dhe social demokratëve.
Në nisje të tregtisë europiane, euro ra lehtë ndërsa yieldi i titujve italianë të borxhit u rrit me 10 pikë bazë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.