Tregjet shënjestrojnë korporatat – Bilancet e kompanive amerikane në fokus të investitorëve
Përgjatë viteve të fundit, inflacioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rezultuar të jetë një indikator pa vlerë dhe pa impakt në tregje, por, së fundmi, është rikthyer në vëmendjen e investitorëve, pasi tregu i fortë i punës dhe rritja e ndjeshme e pagave sinjalizon një rritje të çmimeve. Kjo gjë çon në uljen e ndjeshme të fitimeve të korporatave më të mëdha amerikane, rezultatet e të cilave do të fillojnë shumë shpejt të bëhen publike.
Kompanitë që do të kenë bilance negative do të marrin ndëshkime shembullore nga tregjet, shprehen ekspertët e tregut. E kundërta ndërkohë vlen për kompanitë që do të raportojnë fitime të larta. Gjatë kohëve të fundit, investitorët kanë shpërblyer kompanitë që në një ekonomi me rritje të ulët si ajo amerikane, kanë ditur të shumëfishojnë shitjet, si Amazon apo Netflix.
Por tashmë, investitorët do të fillojnë të fokusohen më shumë te shifrat në vetvete. Vëmendja maksimale e tregjeve tashmë është spostuar nga Rezerva Federale, te inflacioni dhe bilancet e kompanive.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.