Tregjet, të kujdesshme në fillim të prillit – Nafta Brent bie drejt 100 USD, vendet e pasura hedhin në treg rezervat strategjike

Investitorët europianë po tregohen të kujdesshëm në fillim të këtij muaji dhe të tremujorit të dytë të vitit, ndërkohë që negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës pritet të rifillojnë ditën e sotme. Indeksi pan-European Stoxx 600 ka ndryshuar shumë pak në hapje të sesionit të sotëm, ndërsa sektori i shitjeve me pakicë realizon fitimet më të mëdha, në rritje me 0.6%.
Bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës kanë dhënë pak rezultate deri më tani, me Kievin dhe vendet perëndimore që janë skeptikë mbi synimet e vërteta të Moskës, pavarësisht se njoftoi një tërheqje ushtarake nga rrethinat e Kievit. Njëkohësisht, presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se eksportet e gazit ndaj “shteteve jomiqësore” do të ndalohen duke filluar nga dita e sotme, nëse nuk paguajnë në rubla ruse.
Megjithatë, liderët europianë kanë deklaruar se kjo kërkesë nuk do të aplikohet për konsumatorët europianë. Në tregun e naftës, ndërkohë, çmimet kanë rënë ndjeshëm pasi shumë vende të pasura po hedhin në treg rezervat strategjike. Nafta Brent e Londrës, që është bençmarku global, po tregtohet në rreth 102 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë tregtisë aziatike ra deri në 100 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, nafta Brent ra me 7%.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.