Tregtarët primarë dalin nga Londra – Agjencitë e borxhit të BE ndryshojnë kontratat prej Brexit
Agjencitë e borxhit qeveritar në disa shtete të BE kanë nisur të ndërrojnë kontratat nga njësitë e bankave në Londër drejt kontinentit, në përgatitje për Brexit. Përfaqësuesit e agjencive nga 5 vende europiane kanë thënë për Reuters se ndodhen në procesin e ndryshimit të listës së “tregtarëve primarë”, që janë banka të caktuara nga Qeveritë për të manaxhuar huamarrjen e tyre.
Megjithatë, ndryshimi nga tregtarët në Londër drejt atyre në BE, po komplikohet nga fakti se çdo bankë po adapton një qasje të ndryshme ndaj problemit.
Thuajse 70% e emetimit të borxhit qeveritar në Europë kalon aktualisht përmes Britanisë, ndërkohë që bankat britanike, ndërkombëtare dhe madje edhe ato europiane, i shërbejnë klientëve nëpërmjet zyrave në Londër.
Italia, Spanja dhe Franca, listojnë institucionet në Britani si Barclays, JPMorgan Securities dhe Nomura, si tregtar primar. Edhe disa banka europiane si Deutsche Bank, i ofron shërbimet e manaxhimit të borxhit qeveritar nëpërmjet degëve në Londër.
Por, mundësia e një daljeje të Britanisë pa marrëveshje nënkupton se operacionet britanike rrezikojnë të humbasin të drejtat për të shitur shërbimet drejt klientëve në Europë (Passporting).
Komisioni Europian deklaroi këtë të Mërkurë se bankat dhe firmat e sigurimit në Britani do të përjashtohen nga BE nëse Mbretëria e Bashkuar del pa marrëveshje për Brexit.
Zyrtarët e agjencive të borxhit në BE nuk kanë humbur kohë në përgatitje jo vetëm për emetimet sovrane, që arrijnë në një total prej 150 miliardë euro në vit.
Ata po bëjnë gjithashtu ndryshime për të manaxhuar biznese të tjera përfshirë tregtimin sekondar, si kontratat swap të normave të interesit dhe valutave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.