Tregtia e çokollatës, Gjermania eksportuesja më e madhe në BE, me mbi 25%
Çokollata është simboli i festës së pashkëve, dhe vendet europiane janë ndër konsumatorët më të mëdhenj të çokollatës në nivel global, sidomos gjatë periudhës së festës. Bashkimi Europian importoi në vitin 2016 rreth 1.7 milionë ton kakao, kryesisht nga Afrika, tregojnë të dhënat e Eurostat.
Në vend të parë qëndron Bregu i Fildishtë, me 720 mijë ton, ose thuajse 60% të totalit. Më pas ndjek Gana me 340 mijë ton dhe Nigeria me 180 mijë ton. Pjesa dërrmuese e këtyre tonelatave me kakao janë përdorur për të bërë çokollatë.
Por ndërkohë që importuan 1.7 milionë tonë kakao, gjatë 2016-ës shtetet e Bashkimit Europian, eksportuan 2 milionë ton çokollatë. 80% e kësaj sasie shkoi në vendet brenda unionit. Eksportuesja numër një në union mbetet Gjermania, me 540 mijë tonë, pak më shumë se 25% të totalit.
Më pas ndjek Holanda me 270 mijë ton dhe Belgjika me 250 mijë ton. Polonia me 200 mijë, Italia me 140 mijë dhe Franca me 100 mijë mbyllin listën e eksportuesve më të mëdhenj të çokollatës në Bashkimin Europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.