Tregtia e jashtme – Deficiti në rritje, nuk frenohet nga rritja e eksporteve
Eksportet shqiptare patën një ecuri pozitive edhe gjatë muajit gusht, megjithatë, rritja e tyre është e pamjaftueshme për të frenuar deficitin tregtar të vendit.
Sipas Institutit të Statistikave, eksportet u rritën me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tetë muaj, eksportet shqiptare kanë arritur në afro 177 miliardë lekë, 13% më shumë krahasuar tetëmujorin e vitit të kaluar.
Rritja e eksporteve këtë vit po udhëhiqet sidomos nga rritje e lartë në grupin “materiale ndërtimi dhe metale”. Eksportet e këtij grupi janë rritur me 40% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, grupi me peshën kryesore në eksporte ngelet i “tekstileve dhe këpucëve”, që zë afro 44% të vlerës totale të tyre. Eksportet e këtij grupi u rritën sërish për gushtin, ndërsa për gjithë tetëmujorin rritja është afro 9%.
Ndërkohë, grupi tjetër me rëndësi për ecurinë e eksporteve në vitet e fundit “minerale, lëndë djegëse, energji”, ende nuk arrin dot një rimëkëmbje të qëndrueshme. Eksportet e këtij grupi pësuan rënie gjatë gushtit, ndërsa për 8-mujorin ato ruajnë një rritje të papërfillshme kundrejt vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, rritja e importeve po thellon deficitin tregtar të vendit gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për gushtin deficiti tregtar u zgjerua me 3% ndaj të njëjtit muaj të vitit të kaluar.
Për tetë muaj, deficiti në këmbimin e mallrave arriti në 223 miliardë lekë, rreth katër miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Përcaktues në zgjerimin e deficitit është tendenca në rritje e importeve që për muajin gusht u rritën me 6%. Në tetë muaj, Shqipëria ka importuar mallra në vlerën e 400 miliardë lekëve, 6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.