Tregtia e jashtme – Eksportet e nisin vitin me rritje
Eksportet e nisën pozitivisht vitin 2017. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për janarin eksportet arritën në afro 19 miliardë lekë, në rritje me 15.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Eksportet po ndjekin tendencën pozitive të tremujorit të fundit të vitit 2016, të udhëhequra gjithnjë nga sektori fason, por, edhe të ndihmuara nga shenja përmirësimi në grupin e mineraleve.
Sipas Instat, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” për janarin u rritën 7.1% me bazë vjetore dhe dominuan në strukturën e eksporteve, me afro 48% të totalit.
Grupi “minerale, lëndë djegëse, energji” edhe për janarin vazhdoi rritjen, në gjurmët e rimëkëmbjes së brishtë të nisur në fundin e vitit të kaluar. Eksportet e këtij grupi për janarin arritën në 3.9 miliardë ose rreth 21% të totalit. Në rritje për muajin e parë të këtij viti rezultuan edhe eksportet e grupit “materiale ndërtimi dhe metale”.
Për sa i takon importeve, luhatjet krahasuar me një vit më parë ishin të papërfillshme. Vlera totale e raportuar nga Instat ishte 34.8 miliardë lekë, 0.2% më pak krahasuar me një vit më parë.
Rënia në grupet e mineraleve dhe makinerive u kompensua nga rritja e importeve të produkteve kimike e plastike, ashtu si edhe e tekstileve. Rritja e eksporteve dhe rënia e lehtë e importeve kanë ulur ndjeshëm deficitin tregtar të vendit, që ra me 14.2% krahasuar me janarin e vitit 2016.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.