Tregtia e Jashtme/ Instat: “Boom” importesh nga Rusia, shifra rritet me 26%
Periudha 9 mujore e 2020 ka sjellë rënie të eksporteve me afro 14%, e po ashtu rënie të importeve me afro 11%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Sipas raportit më të fundit të Instat mbi tregtinë e jashtme, në periudhën janar – shtator 2020 eksporti i mallrave ka rezultuar në vlerën 195 miliardë lekë, ndërsa importi ka arritur vlerën 429 miliardë lekë, duke sjellë kështu një rënie të deficitit tregtar me afro 9%, krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit paraardhës.
Sipas raportit të Instat, grupet kryesore që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve janë grupmallrat tekstile dhe këpucë, minerale, lëndë djegëse, energji elektrike, si dhe materiale ndërtimi dhe metale.
Nga ana tjetër, përsa i përket importit të mallrave, grupmallrat që kanë ndikuar negativisht janë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike, tekstile dhe këpucë, si dhe makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.
Ndër të tjera, krahasuar me një vit më parë, raporti i Instat tregon se për periudhën 9 mujore të 2020, Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve me Gjermaninë, me afro 9%, me Serbinë, me 7%, si dhe me Francën, me 13%.
Nga ana tjetër, sipas shifrave të Instat, Shqipëria ka pasur një “boom” importesh nga Rusia, shtet nga i cili janë importuar afro 26% më shumë mallra nga një vit më parë. Po ashtu, rritje importesh ka pasur edhe me Maqedoninë e Veriut, me afro 3%, si dhe me Holandën, me agro 8%.
Ndërkaq, partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë në janar – tetor 2020 kanë qenë Italia, me afro 32%, Greqia me afro 8%, Gjermania me 7.1%, si dhe Turqia, me 6.9%.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.