Tregtia e jashtme – Kosova po eksporton më pak drejt Shqipërisë
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.1% në muajin maj 2018, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përkatësisht në vlerë prej 277.8 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 245.7 milionë Eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 10.6%.
Eksportet e mallrave në muajin maj 2018 kanë pësuar në rënie prej 2 për qind, ndërsa importet janë rritur me 11.3 për qind. Kosova ka importuar gjatë muajit maj mallra në vlerën e 32.8 milionë Euro, ndërsa ka importuar në vlerën e 310.6 milionë Euro, krahasuar me muajin maj të 2017.
Ajo që vihet re në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, është që në muajin maj eksportet drejt Shqipërisë kanë pësuar rënia, në vlerën e 18.5 për qind, krahasuar me muajt paraardhës. Kujtojmë që në muajin mars 2018 kjo vlerë ishte 20.5 për qind.
Pas Shqipërisë vendet fqinjë të Kosovës vijojnë të mbeten partnerët kryesorë të Kosovës sa i përket eksporteve. Maqedonia kryeson me 12.2 për qind, Serbia 12.1 për qind. Sa i përket vendeve europiane, Kosova eksporton më shumë drejt Austrisë, në vlerën e 10.2 për qind, dhe Zvicrës, në vlerën e 7.8 për qind.
Sa i përket importeve nga të dhënat duket se Kosova po importon më shumë drejt vendeve të BE-së. Importet kapnin vlerën në muajin maj në 133.2 milionë Euro, ose 42.9% e importeve të përgjithshme, një rritje prej 13.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.7%), Italia (8.4%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin maj 2018, arritën në 85.5 milionë Euro, ose 27.5% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.6%), Shqipëria (6.5%).
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.9% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 20.7% e përbëjnë produktet minerale; 11.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre, etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.8% të importit e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 14.3% e përbëjnë produktet minerale, etj.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.