Tregtia e jashtme – Rritja e eksporteve nuk e frenon deficitin
Eksportet shqiptare patën një ecuri pozitive edhe gjatë muajit tetor. Sipas Institutit të Statistikave, eksportet gjatë tetorit u rritën me afro 14% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2016. Në dhjetë muaj, eksportet shqiptare kanë arritur në rreth 225 miliardë lekë, 13% më shumë krahasuar 10-mujorin e vitit të kaluar.
Kolona kryesore e eksporteve ngelet grupi i tekstileve dhe këpucëve, që zë 43% të vlerës totale të tyre. Eksportet e këtij grupi u rritën edhe për tetorin, me 13%. Ndërkohë, rritja këtë vit po mbështetet edhe nga ecuria pozitive në në grupin “materiale ndërtimi dhe metale”.
Eksportet e këtij grupi janë rritur me 39% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Grupi tjetër me rëndësi për ecurinë e eksporteve në vitet e fundit “minerale, lëndë djegëse, energji”, ende nuk është në kushtet e një përtëritjeje të mirëfilltë. Eksportet e këtij grupi për 9-mujorin ato ruajnë një rritje të papërfillshme kundrejt vitit të kaluar.
Ndërkohë, importet u rritën me ritme edhe më të larta se eksportet, duke sjellë rrjedhimisht zgjerim të deficitit tregtar të vendit. Për tetorin, importet u rritën në vlerë me rreth 15% me bazë vjetore. Në dhjetë muaj, Shqipëria ka importuar mallra në vlerën e 510 miliardë lekëve, 8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e importeve po paraqitet e qëndrueshme dhe e shpërndarë në pothuajse të gjithë grupmallrat, duke shtyrë në rritje deficitin tregtar të vendit. Për tetorin, deficiti tregtar u rrit me 15%, ndërsa për 10-mujorin deficiti në këmbimin e mallrave arriti në 284 miliardë lekë, në rritje me 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.