Tregtia e Jashtme – Si lufta ‘agresive’ për kontejnerë po rrit kostot e transportit me 300%
Mungesa kritike e kontejnerëve po rrit kostot e transportit dhe vonesave për mallrat e blera nga Kina. Rimëkëmbja ekonomike pandemike dhe e pabarabartë globale, ka çuar në rritjen e këtij problemi në Azi, megjithëse edhe vende të tjera në botë janë goditur po ashtu.
Ekspertët e industrisë thanë se kompanitë, të dëshpëruara, presin javë të tëra për kontejnerët dhe paguajnë norma “ekstra” për t’i marrë mallrat, duke shkaktuar rritjen e kostove të transportit. Kjo prek të gjithë ata që kanë nevojë të transportojnë mallra nga Kina, por veçanërisht kompanitë e tregtisë elektronike dhe konsumatorët, të cilët janë ata që mbajnë barrën e kostove më të larta.
Në dhjetor, tarifat e transportit të mallrave ishin 264% më të larta për rrugët nga Azia në Europën Veriore. Për rrugën nga Azia në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, normat janë rritur 145%, nga viti i kaluar.
Krahasuar me çmimet e ulëta të marsit të vitit 2019, tarifat e mallrave nga Kina në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë janë rritur 300%, sipas Mark Yeager, drejtorit ekzekutiv të Redwood Logistics.. Yeager shtoi ndër të tjera se normat e spoteve janë deri në afro 6.000 dollarë për kontejner, krahasuar me çmimin e zakonshëm prej 1.200 dollarë.
“Arsyeja për këtë është se kinezët janë shumë agresivë kur përpiqen të marrin përsëri kontejnerë bosh, sa është e vështirë të marrësh një kontejner për eksportuesit amerikanë” tha Yeager për CNBC, duke shtuar se 3 në 4 kontejnerë nga Shtetet e Bashkuara në Azi “po kthehen bosh”.
Në fakt, mungesa në Azi ka çuar gjithashtu në një krizë të ngjashme në shumë vende evropiane, të tilla si Gjermania, Austria dhe Hungaria, pasi transportuesit e anijeve ridrejtojnë kontejnerët në Lindje sa më shpejt të jetë e mundur, sipas CNBC.
Burimi origjinal: CNBC
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.