Tregtia e jashtme – Transporti detar pësoi rënie me 41% për muajin mars
Pandemia ka sjellë një rënie të ndjeshme të tregtisë së jashtme të mallrave në muajin mars. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, volumi i mallrave të përpunuara në portet detare të vendit ra me 41%. Për gjithë tremujorin e parë të vitit, volumi i transportit detar të mallrave u tkurr me 10%.
Masat kufizuese për të frenuar përhapjen e koronavirusit kanë sjellë një ngadalësim të fortë në aktivitetin ekonomik, duke ndikuar rrjedhimisht edhe tregtinë e jashtme të mallrave në të gjitha vendet. Shifrat e Instat treguan më herët këtë muaj një rënie të ndjeshme në vlerën e eksporteve dhe të importeve. Gjatë marsit, eksportet ranë me 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Goditjen më të rëndë e ka marrë sektori i fasoneve, që është edhe sektori kryesor e eksporteve shqiptare. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve u përgjysmuan gjatë muajit mars. Sipas partnerëve tregtarë, pandemia ka goditur sidomos eksportet drejt Italisë.
Edhe importet pësuan një rënie te ndjeshme, me 24% më pak krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Ndër të paktët zhvillime pozitive ka qenë ngushtimi i deficitit tregtar, që për marsin ishte 15% më i ulët krahasuar me një vit më parë.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.