Tregtia e jashtme u rrit me 293 miliard lekë – Gjatë 2021 eksportet u rritën me 35.6%, importet me 32.3%

Përgjatë të gjithë vitit 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 369 mld lekë, duke u rritur me 35,6 % krahasuar me vitin paraardhës, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 801 mld lekë, duke u rritur me 32,3 %. Defiçiti tregtar arriti vlerën 432 mld lekë, duke u rritur me 29,6 %, krahasuar me vitin e pandemisë. Në total, gjatë të gjithë vitit të jkaluar, volume tregtare në import/ekport kanë qenë 293 mld lekë më të larta se vitit paraardhës. Sa i përket muajit të fundit të vitit të kaluar, eksportët arritën në 32 mld lekë, në rritje me 38.2% në terma vjetorë, si dhe në rënie me 14.5% krahasuar me muajin nëntor të vitit. Sa i përket importeve ndërkohë, në dhjetor arritën në 88 mld lekë, në rritje me 43.1% në terma vjetorë dhe me 9.1% në terma mujorë.
Sa i përket ndikimit të grupeve kryesore në rritjen e eksporteve me rreth 35% në terma vjetorë përgjatë 2021-shit, “Materiale ndërtimi dhe metale” ka dhënë një ndikim prej +14,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +3,7 pikë përqindje. Sa i përket importeve ndërkohë, ndikimin më të madh e kanë dhënë grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,4 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +6,0 pikë përqindje, dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,5 pikë përqindje.
Në drejtim të vendeve partnere ndërkohë, gjatë vitit 2021 vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me vitin paraardhës, janë: Italia me 26,1 %, Kosova me 43,6 % dhe Spanja 42,0 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Ukraina me 14,7 % dhe Rusia 49,3 %. Sa i përket importeve, rritja më e madhe është regjistruar me: Italinë me 27,9 %, Turqinë me 48,6 % dhe Kinën me 20,7 %. Ndërsa vendi me të cilin importet kanë pasur uljen më të madhe është Ukraina me 6,6 %.
Rritja e volumeve tregtare gjatë vitit të kaluar, ka marrë shtysë kryesisht nga rritja e çmimeve, si për mallrat e importit, ashtu edhe për mallrat “Made in Albania”.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.