Tregtia elektronike – Përdoret në vetëm 7% të ndërmarrjeve
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se ende një pjesë e vogël e ndërmarrjeve shqiptare po arrijnë të shfrytëzojnë potencialet e mëdha të tregtisë elektronike.
Vitin e kaluar, vetëm 7% e ndërmarrjeve shqiptare shitën produkte apo shërbime përmes internetit.
Ndërmarrjet që shesin përmes internetit në Shqipëri i takojnë sektorëve të informacionit e komunikimit, transportit dhe aktiviteteve teknike e profesionale.
Në përgjithësi, shfrytëzimi i mundësive të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ngelet i kufizuar, po të kemi parasysh se vetëm gjysma e bizneseve të anketuara kanë një faqe interneti.
Ndonëse tashmë 96% e ndërmarrjeve kanë një lidhje interneti në mjediset e biznesit të tyre, përdorimi për qëllime të marketingut dhe shitjeve ende është shumë larg potencialeve të kohës.
Një shtysë për përdorimin e internetit nga biznesit është rritja e numrit të shërbimeve publike që mund të merren në rrugë elektronike.
Afro 97% e ndërmarrjeve deklarojnë se e përdorin internetin, mes të tjerash, për kontaktet me administratën publike.
Për matjen e nivelit të treguesve të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit INSTAT anketon të gjitha ndërmarrjet me më shumë se 10 persona të punësuar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.