Tregtia kineze në deficit – Importet rriten me 38%, reflektojnë kërkesën e fortë

Kina ka publikuar deficitin e parë tregtar në tre vite për muajin Shkurt, ndërkohë që importet e vendit, kryesisht të lëndëve të para, u rritën sipër pritshmërive. Të dhënat mbi importet përforcuan këndvështrimin se aktiviteti ekonomik në Kinë është përshpejtuar në dy muajt e parë të vitit.
Analistët thonë se kjo reflekton rritjen e çmimit të lëndëve të para, por tregon gjithashtu kërkesën e fortë brenda vendit. Importet e Kinës u rritën me 38.1% me bazë vjetore, niveli më i lartë që prej vitit 2012, ndërsa eksportet ranë papritur me 1.3%. Deficiti tregtar i ekonomisë së dytë më të madhe në botë arriti 9.15 miliardë dollarë për muajin Shkurt, tregojnë të dhënat e Administratës së Përgjithshme të Doganave.
Deficiti tregtar në Kinë vjen pas kritikave të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se vendi po përdor zhvlerësimin e valutës për të fituar avantazh në tregti. Me Shtetet e Bashkuara, Kina rezultoi në një suficit tregtar prej 10.4 miliardë dollarë në muajin Shkurt, që është niveli më i ulët që prej vitit 2014.
Megjithatë, analistët ia kontribuojnë këto të dhëna vitit të ri hënor, ku festimet nisën në fund të muajit Janar. Shumë biznese kanë pezulluar për më shumë se një javë prodhimin në fabrika gjatë asaj periudhe.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.