Tregtia kineze vazhdon rënien – Tkurren eksportet dhe importet prej luftës tregtare
Tregtia kineze është përkeqësuar përsëri, ndërkohë që rënia e eksporteve ka marrë vrull në Shtator dhe importet janë tkurrur për të pesti muaj radhazi. Të dhënat tregojnë për një ngadalësim të ekonomisë nga lufta tregtare dhe nevojën e stimujve.
Analistët thonë rimëkëmbja e tregtisë kineze është e largët për shkak të ngadalësimit ekonomik botëror, pavarësisht se marrëdhënia tregtare mes 2 ekonomive më të mëdha në botë po zbutet. Presidenti Donald Trump lajmëroi javën e kaluar fazën e parë të një marrëveshjeje për të përfunduar luftën tregtare me Kinën dhe pezulloi planin e rritjes së tarifave më 15 Tetor.
Megjithatë, tarifat ekzistuese janë ende të aplikuara dhe të dyja palët duhet të bashkëpunojnë më shumë për të arritur në një dakordësi. Eksportet kineze për Shtatorin ranë me 3.2% me bazë vjetore, që është rënia më e madhe që prej muajit Shkurt.
Shumë firma kineze kishin rritur ndjeshëm dërgesën e mallrave drejt Shteteve të Bashkuara përpara Shtatorit, prej shqetësimeve për rritjen e tarifave. Importet për muajin ranë me 8.5%, që është norma më e ulët që prej Gushtit.
Disa sektorë kanë qëndruar të paprekur. Importet e metaleve industriale, përfshirë çelikun dhe bakrin, u rritën gjatë Shtatorit. Kina raportoi një sufiçit tregtar prej 39.65 miliardë dollarë në Shtator, krahasuar me 34.8 miliardë që ishte treguesi për Gushtin.
Me Shtetet e Bashkuara, sufiçiti rezultoi në 25.8 miliardë dollarë, duke u tkurr nga thuajse 30 miliardë dollarë që ishte në Gusht.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.