Tregtia, në euro apo dollar? – Në BE euro zë 49% të importeve dhe 34% të eksporteve

Gjatë vitit të kaluar, thuajse gjysma e importeve totale në Bashkimin Europian nga vendet jashtë unionit, u paguan në euro, dhe një e treta e tyre u paguan në dollarë amerikanë, ose 33%.
Këto janë të dhënat e fundit të Eurostat që tregojnë se në cilën monedhë bëhet tregtia në Bashkimin Europian. Situata ndërkohë përmbyset nga eksportet. Më shumë se gjysma e tyre, ose 55% janë paguar në dollarë amerikanë, dhe rreth një e treta, ose 34% janë paguar në euro.
Valuta me të cilën kryhen pagesat, si në import, ashtu edhe në eksport, varet shumë nga lloji i produktit të tregtuar. Psh, 85% e naftës të importuar në Europë gjatë 2016-ës, u paguan në dollarë, duke qenë se nafta denominohet botërisht në monedhën e gjelbër.
Thuajse gjysma e produkteve primare dhe atyre të manifakturës të importuara nga Bashkimi Europian janë paguar në monedhën europiane, thotë Eurostat. Sllovenia ka kryer pagesat më të mëdha në Euro të importeve të Bashkimit Europian, ndërsa Mbretëria e Bashkuar pagesat më të vogla, me vetëm 5%.
Më shumë se gjysma e produkteve u paguan në dollarë amerikanë në 20 prej 28 vendeve anëtare të unionit.
Roel Korkuti/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.