Tregtia në Japoni – Eksportet rriten për muajin e pestë radhazi, suficiti me SHBA tkurret
Eksportet e Japonisë u rritën për të pestin muaj radhazi në Prill, duke treguar se një fuqizim i kërkesës nga jashtë mund të kontribuojë në një rimëkëmbje të qëndrueshme ekonomike. Eksportet e ekonomisë së tretë më të madhe në Botë, u rritën me 7.5% në muajin Prill nga e njëjta periudhë një vit më parë, duke ndjekur rritjen prej 12% në muajin Mars, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Financave.
Të dhënat treguan gjithashtu se suficiti tregtar i Japonisë me Shtetet e Bashkuara u tkurr. Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara u rritën me 2.6% në muajin Prill me bazë vjetore, prej dërgesave të automjeteve dhe pjesëve të tyre. Megjithatë, suficiti i Japonisë me Shtetet e Bashkuara ra me 4.2% për muajin Prill në 5.27 miliardë dollarë. Eksportet e Japonisë pritet të vazhdojnë me këtë vrull, ndërkohë që ekonomia globale është përmirësuar.
Rënia e suficitit me Shtetet e Bashkuara mund të lehtësojë kushtet për Japoninë, pasi e bën më të vështirë për Donald Trump që të kritikojë praktikat tregtare të ekonomisë së tretë më të madhe. Produkti i Brendshëm Bruto i Japonisë u rrit në tremujorin e parë me normën më të shpejtë në 1 vit, duke shënuar periudhën më të gjatë në kohë të ekspansionit në 1 dekadë, falë eksporteve të forta dhe konsumit privat.
Të shprehura në volum, eksportet u rritën me 4.1% në Prill, duke sjellë muajin e tretë radhazi të rritjes. Drejt Kinës, eksportet u rritën me 14.8%, nxitur nga dërgesat e pjesëve të makinave dhe çelikut. Importet u rritën me 15.1%, prej rritjes së kostos së energjisë. Balanca totale e tregtisë rezultoi në një suficit prej 4.33 miliardë dollarë në muajin Prill, poshtë projeksioneve të analistëve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.