Tregtia në javën e pare – Euro, ndër valutat me performancën më të mirë në nisje të vitit

Euro është valuta më e mirë për t’u mbajtur në nisje të vitit, tregojnë të dhënat për tre vitet e fundit. Në javën e fundit të tregtisë për 2016-ën dhe në të parën për vitin 2017, euro ofroi një kthim mesatar prej 0.73% kundër dollarit.
Nga ana tjetër, paundi britanik dhe jeni japonez patën kthime negative. Me nisjen e 2017-ës, euro kërcënohej nga pasiguritë politike, ndërkohë që priteshin 3 zgjedhje brenda vitit. Megjithatë, performanca ekonomike e rajonit limitoi ndikimin e shqetësimeve në politikë. Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar ka paSur performancë të dobët ekonomike prej daljes nga Bashkimi Europian, ndërsa ndërhyrjet e Bankës së Japonisë kanë zhvlerësuar ndjeshëm jenin.
Në nisje të vitit 2016, ndodhi e njëjta gjë. Edhe pse pjesa më e madhe e valutave treguan rënie, euro nuk pati ndikim aq të madh. Për 2018-ën, sipas analistëve të bankës amerikane Citi, valuta e përbashkët pritet të ndjekë të njëjtin trend, duke marrë nxitje edhe nga bisedimet e Bankës Qendrore Europiane për të përfunduar stimujt monetarë.
Në Britani, pavarësisht progresit në negociatat për Brexit, investitorët i kanë qëndruar larg paundit. Megjithatë, mund të pritet ndonjë surprizë, ndërkohë që Banka e Anglisë rriti normën bazë të interesit për të parën herë në një dekadë dhe lajmëroi tkurrjen graduale të politikave monetare. Kjo mund ti japë mbështetje valutës, ndërkohë që tregjet presin 2 ndërhyrje të tjera për vitin 2018.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.