Tregtia neto në Eurozonë – Euro e fortë nis të tkurrë suficitin, importet rriten bindshëm

Suficiti tregtar i bllokut të monedhës së përbashkët është tkurrur në muajin Gusht, ndërkohë që euro e fortë ka sjellë rritje të madhe të importeve, me një normë që kaloi atë të eksporteve.
Edhe pse euro është zhvlerësuar kundër dollarit amerikan nga niveli i arritur në fillim të shtatorit, mbetet ende në rritje me 12% këtë vit. Importet më të lira kanë komplikuar edhe detyrën e Bankës Qendrore Evropiane për të rritur nivelin e çmimeve në Eurozonë. Zyra e Statistikave e Bashkimit Evropian, raportoi se sufiçiti tregtar i mallrave i Eurozonës ra në 16.1 miliardë euro në Gusht nga 23.2 miliardë që ishte në Korrik.
Norma ishte gjithashtu më e ulët se ajo e Gushtit 2016, prej 17.5 miliardë euro. Suficiti më i ulët erdhi prej rritjes së importeve nga jashtë vendeve të Eurozonës, me një normë prej 8.6% me bazë vjetore. Kjo rritje tejkaloi atë të eksporteve prej 6.8% duke sjellë edhe rënien e suficitit tregtar.
Tregtia neto për gushtin ishte edhe më e ulëta e regjistruar për këtë vit, duke përjashtuar deficitin e përkohshëm për Janarin. Me partnerët kryesorë, shihet një rritje e fortë e eksporteve me Kinën, me 19.2% për periudhën Janar-Gusht. Rritje e madhe e importeve është regjistruar me Rusinë dhe Norvegjinë, me 28.1% dhe 26.2% në mënyrë respektive.
Euro e fortë, që ka prekur rreth 1.20 kundër valutës amerikane në fund të Gushtit, ka ndikuar te rënia e sufiçitit. Importet më të lira mund të ndikojnë edhe te inflacioni, duke e bërë më të vështirë për BQE që të tkurr politikat monetare.
Në muajin Shtator, inflacioni qëndroi në 1.5%, që ishte e njejta normë me Gushtin, poshtë nivelit objektiv të institucionit në Frankfurt prej rreth 2%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.