Tregtia neto në Japoni – Bien ndjeshëm dërgesat e makinave në SHBA, tkurret sufiçiti
Rritja e eksporteve japoneze është ngadalësuar më shumë se sa pritej për Korrikun, ndërkohë që dërgesat drejt Shteteve të Bashkuara ranë për të dytin muaj radhazi. Sektori i automjeteve ka pasur goditjen më të madhe, ndërkohë që konfliktet tregtare kanë shkaktuar dyshime për kërkesën e jashtme.
Të dhënat e Ministrisë së Financave treguan se eksportet u rritën me 3.9% me bazë vjetore në Korrik, poshtë rritjes me 6.3% që pritej nga analistët dhe normës prej 6.7% që u regjistrua në Qershor. Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara ranë me 5.2% me bazë vjetore për Korrikun, duke u tkurrur për të dytin muaj radhazi, kryesisht prej rënies me 12.1% të dërgesave të makinave.
“Rënia e eksporteve të makinave në SHBA vjen prej shitjeve të fuqishme të regjistruara një vit më parë. Nuk mund të themi ende nëse ka patur ndikim nga lufta tregtare,” deklaroi ministria e Financave.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me tarifa për importet e makinave vende si Gjermania dhe Japonia. Prodhuesit japonez nuk kanë treguar deri më tani shenja të rritjes së eksporteve në SHBA, gjë që do të ndodhte prej pritshmërive të tarifave.
Importet nga SHBA u rritën me 11% në Korrik, prej naftës bruto dhe gazit. Për rrjedhojë, suficiti i Japonisë me SHBA ra me 22.1% me bazë vjetore në 4.55 miliardë dollarë. Eksportet drejt Kinës, që është partneri më i madh tregtar i Japonisë, u rritën me 11.9% në Korrik. Dërgesat në Azi, që përbën më shumë se 50% të totalit, u rritën me 8% prej pjesëve elektronike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.