Tregtia neto në Kinë, fuqizohet në Maj, rritet suficiti me Shtetet e Bashkuara
Eksportet kineze kanë vazhduar rritjen e fortë gjatë muajit Maj, me 12.6%, që është pak poshtë nivelit të muajit Prill, megjithatë duke ofruar lajme pozitive për politikëvënësit e Pekinit, ndërkohë që zhvillojnë negociata të ashpra me Uashingtonin. Importet janë rritur gjithashtu gjatë muajit Maj, me normën më të shpejtë që prej Janarit, ndërkohë që Kina ka premtuar se do të rrisë blerjet te partnerët tregtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Lajmet janë pritur pozitivisht në ekonominë e dytë më të madhe të botës, ndërkohë që politikëbërësit kanë tkurrur eksesin në kredit brenda vendit për të parandaluar krijimin e një flluske në çmimin e aktiveve dhe ndërsa kanë limituar industrinë e rëndë në shumë rajone, në përpjekje për të frenuar ndotjen e ajrit. Megjithatë, tensionet tregtare me SHBA, vazhdojnë të përbëjnë një rrezik.
Raundi i tretë i bisedimeve mes 2 vendeve përfundoi në Pekin gjatë fundjavës së kaluar me pak shenja progresi, ndërkohë që Kina dha një paralajmërim se çdo marrëveshje me Uashingtonin do të prishet nëse vendosen tarifat në importe. Importet u rritën me 26% gjatë muajit Maj, raporton Administrata e Përgjithshme e Doganave, sipër projeksioneve prej 18.7%. Të dhënat e fortë të importeve u rritën nga blerjet e procesorëve për kompjutera si dhe lëndëve të para përfshirë naftë, bakër dhe gaz natyror.
Kina raportohet se po importon nivele rekord të naftës amerikane dhe pritet të rrisë blerjet e sojës, pas lajmërimit të Pekinit ndaj rafinerive shtetërore që rrisin importet për të lehtësuar tensionet tregtare. Ndër partnerët kryesorë, importet nga Koreja e Jugut patën rritjen më të madhe, me 31.8%, ndjekuar nga Australia me 22.4%. Suficiti tregtar ra në 24.92 miliardë dollarë në Maj, nga 28.4 mld që ishte ë Prill. Megjithatë, suficiti me SHBA ka treguar rritje, duke irrituar zyrtarët në Uashington.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.