Tregtia neto në Kinë. Rriten importet për të parën herë në 5 muaj
Eksportet kineze janë tkurrur papritmas në muajin Prill, por importet patën rritjen e parë në 5 muaj, duke ofruar të dhëna mikse për ekonominë e dytë më të madhe në botë, ndërkohë që Washingtoni ka shtuar presionet e tarifave.
Të dhënat e fundit mbi tregtinë janë eklipsuar nga përkeqësimi i bisedimeve tregtare me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që investitorët prisnin një zgjidhje. Negociatorët kinezë dhe amerikanë do të takohen në Washington në 2 ditët e ardhshme, ndërkohë që Pekini po përpiqet të shmangë rritjen e tarifave këtë të Premte.
Investitorët shpresonin që të dhënat mbi tregtinë për muajin Prill të tregonin qëndrueshmëri të ekonomisë kineze. Megjithatë, eksportet ranë me 2.7% me bazë vjetore, kryesisht prej rënies së madhe të dërgesave në SHBA dhe rënies së kërkesës botërore për produkte të teknologjisë së lartë si smartphona dhe pajisje elektronike.
Ndërkohë, importet surprizuan me një rritje vjetore prej 4%, krahasuar me rënien prej 7.6% që u regjistrua në Mars. Rritja në importe ishte e para që prej muajit Nëntor, çka tregon se kërkesa e brendshme po rimëkëmbet ndërkohë që Pekini ka shtuar stimujt ndaj ekonomisë, në formën e shpenzimeve në infrastrukturë. Kina publikoi një suficit tregtar prej 13.8 miliardë dollarë në Prill, poshtë projeksioneve prej $35 miliardë.
Suficiti me SHBA u rrit në 21 miliardë dollarë në Prill, nga $20.5 miliardë që ishte në Mars.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.