Tregtimi i karburanteve – Urdhri i Gjiknurit: Dokumente shtesë për vërtetimin teknik

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka ndryshuar procedurat e lëshimit të vërtetimit teknik për të gjithë subjektet që kryejnë aktivitet në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Përmes një urdhri të ministrit Damian Gjiknuri, që mban datën 24 gusht 2017, parashikohet ndryshimi i organit që lëshon këto leje si dhe dorëzimi i një sërë dokumentesh shtesë si për shoqëritë e tregtimit me shumicë, ashtu edhe për stacionet e tregtimit me pakicë të karburanteve dhe njësive të lëndës djegëse.
Deri më tani, këto leje lëshoheshin nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, ndërkohë që sipas urdhrit të ri, kjo procedurë do të kryhet nga organet e miratuar të vlerësimit të konformitetit.
Sipas urdhrit të Gjiknurit, ky organ duhet të disponojë stafin e nevojshëm të kualifikuar me eksperiencë, jo më pak se pesë vjet në fushën e këtyre instalimeve si dhe të ketë staf të pajisur me lejen profesionale sipas legjislacionit në fuqi.
Ndërkaq, sa i takon dokumentacionit, përveç ekstraktit të QKR-së, vërtetimit të pronësisë për vendin ku ushtrohet aktiviteti, projektit teknologjik dhe vërtetimit për kalibrimin e depozitave nga organet përkatëse, të cilat nevojiteshin deri më tani, do të kërkohet edhe projekti për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi, i miratuar nga organi përgjegjës. Po ashtu, do të kërkohet leja përkatëse mjedisore, certifikata e konformitetit për secilin nga produktet, pajisjet apo instalimet si dhe projekti i certifikuar i mbrojtjes katodike.
Këtyre subjekteve do u kërkohen edhe dëshmitë e aftësive profesionale të punonjësve si dhe dokumenti që provon regjistrimin e pajisjeve. Ky urdhër, vjen pas një vendimi qeverie të miratuar në muajin korrik, i cili kishte si qëllim rritjen e sigurisë dhe përmbushjen e standardeve gjatë kryerjes së aktiviteteve në përpunimin, transportimin, depozitimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.