Tregu i borxhit drejt “normalizimit” – Yieldi i titujve 5-vjeçarë në Gjermani ngjitet sipër zeros
Përqindja e obligacioneve qeveritare të Eurozonës me yield negativ po zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Kjo sinjalizon se tregjet e borxhit po kthehen në normalitet, ndërkohë që bankat qendrore po nisin përfundimin e stimujve të jashtëzakonshëm monetarë. Yield-i i titujve 5-vjeçar në Gjermani, që është emetuesi kryesor i Europës, u rrit sipër 0%-shit ditën e Hënë, për të parën herë që prej vitit 2015.
Kjo shënon një ndryshim thelbësor nga 2 vite më parë, ku lehtësimi gjigant monetar dhe normat rekord të ulëta të interesit, cuan interesat e borxhit në territor negativ në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar. Atëherë, vlera e borxhit në të gjithë botën që tregtohej me yield poshtë zeros arrinte në 13 trilionë dollarë. Titujt 2 vjeçar të borxhit në Gjermani qëndrojnë në territor negativ, në -0.52%, megjithatë janë në nivelin më të lartë që prej mesit të 2016-ës.
Sipas analistëve, nëse pritshmëritë që BQE të rrisë normat e interesit në tremujorin e parë 2019 janë të forta, atëherë titujt 2-vjeçar të Gjermanisë do të ngjiten sipër zeros deri në fund të këtij viti. Deutsche Bank ka raportuar më herët gjatë vitit se 2018-a do të jetë viti i parë në këtë dekadë, që aktivet e blera nën programet e BQE, Rezervës Federale dhe Bankës së Japonisë, nuk do të rriten në raport me shitjet neto të obligacioneve qeveritare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.