Tregu celular – Bien më të vegjëlit, tregu drejt “përthithjes”?

Konkurrenca e ashpër në tregun e telefonisë së lëvizshme po rrit më shumë kompanitë e mëdha dhe po tkurr më të voglat.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2016 Vodafone Albania e zgjeroi akoma më shumë pjesën e tregut, të matur sipas numrit të përdoruesve aktivë.
Në fund të vitit 2016, Vodafone raportonte 1.71 milionë përdorues aktivë, në rritje me 6.3% krahasuar me vitin 2015.
Vodafone ishte i vetmi operator që shënoi rritje në numrin e përdoruesve aktivë, ndërkohë që të tre operatorët e tjerë pësuan rënie.
Për Telekom Albania, numri i abonentëve ka rënë me 8.3%, për Albtelecom me 8.6%, ndërsa për Plus rënia është edhe më drastike, me 17.7%.

Tashmë, tregu është gjithnjë e më i përqendruar. Vodafone zotëron 51% të përdoruesve, Telekom Albania rreth 31%, Albtelecom 13%, ndërsa Plus vetëm 5%.
Me këtë ritëm, mbijetesa në treg e dy operatorëve më të vegjël po bëhet gjithnjë e më sfiduese. Nëse Albtelecom mund ta subvencionojë aktivitetin celular, përmes pjesës së lartë të tregut në shërbimet fikse, për Plus gjendja është shumë e vështirë.
Duke parë tendencën e tregut dhe përvojën e vendeve të tjera, me shumë të ngjarë numri i operatorëve celularë në Shqipëri do të ulet në një të ardhme të afërt, përmes përthithjes së të paktën njërit prej operatorëve me pjesë të ulët tregu nga operatorët më të mëdhenj.
Dy vjet më parë, Vodafone ishte pranë blerjes së Plus, ndërsa Telekom Albania interesohej për blerjen e plotë të Albtelecom. Por, në të dyja rastet, bisedimet dështuan për shkak të mosdakordësisë mbi çmimin.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.