Tregu celular – Pëson rënie për të katërtin vit radhazi
Tregu celular pësoi rënie për të katërtin vit radhazi në 2019. Sipas të dhënave të raportuara nga operatorët, volume i tregut ishte rreth 26.3 miliardë lekë, 2% më pak krahasuar me vitin 2018. Rënien më të ndjeshme të të ardhurave e ka pësuar operatori Telekom Albania, me 5%, i ndjekur nga Vodafone me 1%, ndërsa Albtelecom në segmentin e shërbimeve celulare ka deklaruar një xhiro të përafërt me një vit më parë. Sipas qarkullimit vjetor, tregu edhe për vitin e kaluar u dominua nga Vodafone Albania, që zotëronte pothuajse 55% të totalit, e ndjekur nga Telekom Albania me 31% dhe Albtelecom Mobile me rreth 14%.
Megjithatë, ecuria e dy segmenteve kryesore të tregut paraqitet e ndryshme. Ndërkohë që të ardhurat nga shërbimet me shumicë janë në rënie të fortë, ato në segmentin e pakicës po rriten. Kjo nënkupton se operatorët po arkëtojnë gjithnjë e më pak para nga terminimi i thirrjeve, çka do ta zhvendosë përpjekjet e tyre për të rritur të ardhurat te shërbimet me pakicë, me shumë të ngjarë duke rritur çmimet. Një tentativë e tillë u bë në fillim të këtij viti, përmes shtrenjtimit të bashkërenduar të paketave mujore. Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim paraprak dhe urdhëroi pezullimin e aplikimit të paketave deri në fund të periudhës së hetimit.
I vetmi operator që siguron fitime të kënaqshme në treg ngelet Vodafone Albania. Për vitin 2019, fitimi i neto i Vodafone u dyfishua dhe arriti në 1.4 miliardë lekë. Pjesa e lartë në të gjitha segmentet e tregut i mundëson Vodafone përfitueshmëri shumë më të mirë se dy konkurrentët e tjerë.
Pas dy viteve radhazi me humbje, edhe Telekom Albania përmirësoi rezultatin dhe raportoi një fitim neto prej 285 milionë lekësh vitin e kaluar. Megjithëse është operatori që ka pësuar rënien më të madhe të të ardhurave, Telekom ka përmirësuar performancën financiare, në vitin e parë të epokës bullgare.
Për vitin e kaluar, Albtelecom ishte i vetmi operator me humbje, duke vijuar serinë negative që zgjat prej më shumë se një dekade.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.