Tregu celular – Rënie në tremujorin e katërt 2017
Tregu i telefonisë celulare ka pësuar rënie për shumicën e treguesve në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, numri i abonentëve aktivë për shërbimet e telefonisë celulare dhe të internetit me brez të gjerë ka rënë me afro 6% gjatë tremujorit të katërt.
Sipas AKEP, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare, ose më saktë i numrave celularë aktivë është pakësuar me 222 mijë njësi gjatë tremujorit të katërt. Ndërsa përdoruesit e internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare ishin 128 mijë më pak krahasuar me tremujorin e tretë, duke shënuar për herë të parë rënie pas disa tremujorësh radhazi në rritje.
Rënie mëse të ndjeshme të numrit të përdoruesve kanë pësuar Vodafone, Albtelecom dhe Plus, ndërsa vetëm operatori Telekom Albania ka raportuar rritje. Rënia e numrit të përdoruesve ka ndikuar edhe në tkurrjen e përdorimit të shërbimeve.
Thirrjet telefonike dalëse janë pakësuar me 7% krahasuar me tremujorin e tretë, ndërsa mesazhet e shkruara 0.4%. Rënie madje ka pasur edhe në këndvështrimin e përdorimit mesatar, ku çdo abonent ka folur 150 minuta në muaj, nga 152 minuta në tremujorin e tretë.
Shërbimi ku tregu po rritet është interneti, me një mesatare 2.3 GB në muaj për përdorues. Pas daljes nga tregu të operatorit Plus Communication dhe ndryshimit të titullarit të AKEP, ky institucion ka ndërmarrë disa masa të reja rregullative për tregun e telefonisë së lëvizshme, që synojnë mbrojtjen e konkurrencës në treg.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.