Tregu europian i energjisë, i rregulluar – Agjencia e BE: Funksionimi aktual siguron furnizim efikas dhe të sigurt
Tregu europian i energjisë elektrike nuk ka nevojë për një rregullim radikal, por politikëbërësit duhet të marrin në konsideratë më shumë masa për të mbështetur kalimin drejt energjisë me karbon të ulët dhe për të mbrojtur konsumatorët nga kostot e larta, deklaruan rregullatorët e tregut në BE.
Çmimet europiane të energjisë regjistruan nivele rekord këtë vit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, furnizuesi kryesor i gazit në Europë. Kjo pasoi muaj me çmime tashmë të larta të gazit, të shkaktuar nga rritja e kërkesës në ekonomitë që po rimëkëmbeshin nga pandemia COVID-19 dhe shqetësimet në rritje për furnizimin rus. Në përgjigje, Komisioni Europian vitin e kaluar i kërkoi agjencisë bashkëpunimin e rregullatorëve të energjisë për të vlerësuar se si funksionon tregu europian i energjisë elektrike.
Agjencia tha se funksionimi aktual i tregut me shumicë të energjisë elektrike siguron furnizim efikas dhe të sigurt në kushte relativisht “normale” të tregut. Në vend që të nxiste krizën energjetike të Europës, agjencia tha se rregullat aktuale të tregut kishin ndihmuar në lehtësimin e ndikimit të saj, për shembull, duke i mundësuar Belgjikës dhe Francës të importonin më shumë energji elektrike për të shmangur mungesat gjatë ndërprerjeve të centraleve bërthamore.
Por, agjencia theksoi se do të duheshin ende përmirësime afatgjata për të siguruar që sistemi të mbështesë zgjerimin masiv të energjisë së rinovueshme të nevojshme për BE-në për të arritur emetimet neto zero deri në vitin 2050.
Këto përfshijnë rritjen e tregtisë së energjisë elektrike ndërmjet vendeve të BE-së, më shumë mbështetje shtetërore për marrëveshjet e blerjes së energjisë së rinovueshme dhe koordinim më të mirë midis vendeve për të mbështetur investimet në infrastrukturën e re të energjisë elektrike.
Shumica e vendeve anëtare po përdorin tashmë ulje taksash dhe subvencione për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e kostove, por shtetet nuk pajtohen nëse vetë tregu i energjisë elektrike në Europë ka nevojë për rirregullim. Spanja dhe Portugalia siguruan këtë javë miratimin e BE-së për të kufizuar koston e gazit të përdorur për energji në tregjet e tyre të brendshme.
Agjencia rregullatore tha se çdo ndërhyrje duhet të fokusohet në shkakun rrënjësor të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, aktualisht, kostot e larta të gazit, por sa më e madhe të jetë ndërhyrja, aq më i madh është rreziku i shtrembërimit të tregut.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.