Tregu i biçikletave me qira – Tërheq vëmendjen e investitorëve, “Ofo” synon zgjerimin global

Startupi i biçikletave me qira në Kinë, Ofo, po synon zgjerimin global dhe deklaroi se ka marrë mbi 700 milionë dollarë financim, përfshirë nga kompania e tregtisë elektronike Alibaba.
“Do të vazhdojmë të përditësojmë shërbimin tonë për të përshpejtuar zgjerimin global dhe për të përmirësuar eksperiencën e përdoruesve. Objektivi ynë është prania në çdo cep të botës”, deklaroi kompania kineze.
Analistët thonë se firma mund të arrijë vlerën e 2 miliardë dollarëve. Industria e biçikletave me qira në Kinë ka marrë vrull kohët e fundit, me startupe si “Ofo” dhe rivali në Pekin “Mobike” që synojnë të përmirësojnë lëvizjen urbane në vend dhe promovojnë një mënyrë më të pastër të transportit.
Personat përdorin smartphonat për të zhbllokuar biçikletat pranë tyre dhe mund të udhëtojnë deri në destinacionin përfundimtar për një tarifë të vogël, duke shmangur trafikun në qytetet kineze. Investitorët shohin potencial në këtë treg dhe kanë vënë në dispozicion sasi të konsiderueshme të parasë për startupet e kësaj industrie.
Muajin e kaluar, kompania rivale Mobike, deklaroi se kishte marrë financim mbi 600 milionë dollarë. Deri në fund të vitit, Ofo planifikon të vendosë në dispozicion më shumë se 20 milionë biçikleta dhe do të zgjerojë shërbimin në 200 qytete në 20 Shtete të ndryshme në të gjithë botën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.