Tregu i fluturimeve – Afro 2.6 milionë pasagjerë për 9-mujorin
Tregu i transportit ajror të pasagjerëve u rrit me ritme dyshifrore edhe për muajin shtator. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i udhëtarëve për shtatorin u rrit me afro 14% krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërsa për 9-mujorin numri i udhëtarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ishte pothuajse 2.6 milionë. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%. Shifrat dëshmojnë se tregu i transportit ajror po rritet për të tetin vit radhazi.
Në aeroportin e Tiranës veprojnë aktualisht 21 kompani ajrore, që për nëntë muajt e parë të këtij viti kryen rreth 22 mijë fluturime. Ky treg po mbështetet nga rritja e njëkohshme e turizmit hyrës dhe atij dalës nga Shqipëria.
Për 9-mujorin e këtij viti, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 8%, ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë u rritën me 10% krahasuar me vitin e kaluar.
Tashmë, numri i shqiptarëve që zgjedhin të udhëtojnë me avion pothuajse e dubluar numrin e atyre që udhëtojnë me traget.
Megjithatë, vlerësohet se potencialet e rritjes së tregut të transportit ajror të pasagjerëve janë edhe më të mëdha. Për këtë arsye, prej vitesh po diskutohet kryerja e fluturimeve ndërkombëtare edhe nga aeroporte të tjerë në vend.
Aeroporti i Kukësit është dhënë tashmë me koncesion te një konsorcium privat dhe pritet të jetë i gatshëm për të operuar brenda dy viteve.
Ndërsa qeveria po këmbëngul në idenë për të ndërtuar një aeroport pranë Vlorës, ende nuk është e qartë nëse do ta ndërtojë vetë apo do të kërkojë sërish një partneritet publik-privat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.