Tregu i gazit natyror – Konkurrenca: Licencat, pas modelit të tregut
Projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik po avancon dhe institucionet po përgatisin tregun për shfrytëzimin e gazit natyror që do të transportohet përmes këtij gazsjellësi.
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar draft-licencat për aktivitetet e furnizimit, shpërndarjes dhe tregtimit të gazit natyror në vend.
Në këto dokumente parashikohen kushtet, të drejtat dhe detyrimet e operatorëve që do të veprojnë në këtë treg.
Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës që në fillim ka shprehur rezerva lidhur me përmbajtjen e licencave dhe ka nxjerrë disa rekomandime për Entin e Energjisë.
Autoriteti rekomandon që licencimi i subjekteve të kryhet vetëm pasi të jetë miratuar modeli i tregut të gazit natyror, në mënyrë që të përcaktohen qartë kushtet e operimit, roli dhe funksioni i operatorëve.
Rekomandime që lidhen direkt me funksionimin e tregut janë ndarja e llogarive, në rastet kur një operator mund të veprojë në nivele të ndryshme të tregut, përcaktimi afateve në rastet kur një përdorues vendos të ndryshojë operatorin e furnizimit, si edhe sigurimi për përdoruesit i të dhënave periodike për tregun e gazit natyror.
Rregullimi i tregjeve të energjisë në vend ngelet ende një sfidë, që nga energjia elektrike dhe deri te furnizimi me karburant.
Autoriteti i Konkurrencës ka rekomanduar ndarjen e plotë të operatorëve të tregut energjetik nga furnizuesit publikë në nivel shumice dhe pakice, por ky rekomandim ende nuk është zbatuar. Asnjë përgjigje nuk kanë gjetur as rekomandimet për rregullimin e tregut të karburanteve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.